Një 23-vjeçare britanike është qëlluar për vdekje nga babai i saj gjatë një vizite në shtëpinë e tij në Teksas.
Sipas hetimeve, më herët gjatë asaj dite ajo kishte pasur një debat të fortë me të atin lidhur me Presidentin amerikan Donald Trump.
Lucy Harrison, nga Cheshire, u qëllua në gjoks më 10 janar 2025 në Prosper, pranë Dallasit.
Në seancën hetimore të zhvilluar në Gjykatën e Cheshire, i dashuri i saj, Sam Littler, dëshmoi për një “përplasje të madhe” mes Lucy-t dhe babait të saj për çështjen e Trump. Sipas tij, Lucy shqetësohej shpesh kur i ati fliste për armët që zotëronte.
Ai tregoi se gjatë debatit ajo e kishte pyetur babanë: “Si do të ndiheshe nëse unë do të isha vajza në atë situatë dhe do të isha sulmuar seksualisht?”. Sipas dëshmisë, Kris Harrison ishte përgjigjur se kishte edhe dy vajza të tjera që jetonin me të dhe kjo “nuk do ta shqetësonte aq shumë”.
Rreth gjysmë ore para se çifti të nisej drejt aeroportit, Lucy ndodhej në kuzhinë kur i ati e kapi për dore dhe e çoi në dhomën e tij të gjumit në katin përdhes. Littler deklaroi se rreth 15 sekonda më pas dëgjoi një krismë të fortë dhe më pas britmat e Kris Harrison që thërriste bashkëshorten.
“Kur hyra në dhomë, Lucy ishte shtrirë në dysheme pranë hyrjes së banjës dhe Kris po bërtiste pa kuptim,” tha ai.
Në një deklaratë të dërguar në gjykatë, Kris Harrison u shpreh se ai dhe vajza e tij po shikonin një lajm për krime me armë kur ai i kishte treguar se kishte një armë dhe e kishte pyetur nëse donte ta shihte. Ai e çoi në dhomën e gjumit për t’i treguar një pistoletë.
“Nuk e kuptova çfarë ndodhi. Lucy ra menjëherë,” thuhej në deklaratë. Ai shtoi se nuk e mbante mend nëse gishti i tij ishte në këmbëz.
Hetimi zbuloi gjithashtu se Kris Harrison kishte pasur probleme me alkoolin në të kaluarën dhe kishte ndjekur rehabilitim. Ai pranoi se kishte konsumuar rreth 500 ml verë të bardhë.
Be First to Comment