Aksidenti çoi në përplasje mes disa personave në Dragodan të Prishtinës, intervenon policia
Një aksident trafiku i ndodhur në Prishtinë ka përfunduar në një përleshje fizike mes disa personave, ku sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjet, janë përfshirë edhe disa femra.
Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një përplasjeje mes dy automjeteve, ku fillimisht pati debat verbal mes palëve. Situata më pas ka dalë jashtë kontrollit, duke degraduar në shtyrje dhe goditje fizike në mes të rrugës, në sy të kalimtarëve të rastit.
Në video shihen disa persona duke u konfrontuar, ndërsa të pranishmit përpiqen t’i ndajnë dhe të qetësojnë situatën. Ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar rëndë si pasojë e përleshjes.
Policia pritet të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit. Rasti ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët kanë bërë thirrje për më shumë vetëpërmbajtje dhe respekt në situata të tilla.
VIDEO:

Be First to Comment