Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për çështjen e Presidentit, bëri me dije se Vjosa Osmani, nuk është kandidatja e tyre, pasi që tha se në zgjedhjet e dhjetorit 2025, nuk kërkuan vota që ajo të bëhet Presidente, ndryshe nga siç kishin bërë në zgjedhjet e shkurtit 2021.
“Ju e dini që në zgjedhjet e vitit 2021, kur ne kemi garuar në atë kohë në aleancë si… domethënë bashkë me Partinë Guxo edhe me Alternativën, ne edhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore e kemi përmendur që kandidojmë, gjegjësisht kërkojmë besimin e qytetarëve për kryetarin tonë të Lëvizjes, zotin Albin Kurti për Kryeministër, ndërkohë që për zonjën Osmani për Presidente. E kemi përmend disa herë edhe gjatë fushatës dhe ky nuk është rasti tani në zgjedhjet e fundit të vitit 2025”, tha Nagavci në një prononcim për Ekonomia Online.
“Në zgjedhje kemi garuar me kërkesën e votës për Kryeministrin Kurti dhe për Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj për qeverisje. Që nënkupton që për zgjedhjen e Presidentit\Presidentes, duhet të ketë diskutime që besoj që do të jenë shumë më intensive në këto ditë të mbetura, që ta përmbyllim suksesshëm edhe zgjedhjen e Presidentit\Presidentes deri më 4 mars, siç janë afatet kushtetuese. Dhe konsideroj që është obligim i të gjithë neve deputetëve, që të gjejmë një konsensus sepse tashmë kemi pasur shumë zgjedhje”, shtoi ajo.
Be First to Comment