Një tjetër moment i fortë dhe tejet i diskutueshëm është regjistruar brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania, duke ndezur menjëherë reagime të ashpra në rrjetet sociale.
Këtë herë nuk bëhet fjalë për një debat apo konflikt mes banorëve, por për një deklaratë të papritur dhe të rëndë ndaj një figure ikonike të muzikës shqiptare, Dr. Flori, i cili vazhdon të mbetet shumë i dashur për publikun, edhe pas ndarjes së tij nga jeta.
Gjatë një momenti kur “Vëllai i Madh” kishte vendosur në sfond një prej këngëve të Dr. Florit – një zgjedhje që zakonisht shoqërohet me emocione, nostalgji dhe respekt – reagimi i Mateos ka qenë krejtësisht i kundërt me atë që pritej.
Në vend që të qëndronte i heshtur apo të tregonte respekt, banori ka shprehur hapur bezdinë e tij, duke u shprehur:
“Të kishte mbaruar kjo muzika të paktën se na e shpifi. O Vëlla i Madh na e hiq muzikën.”
Kjo deklaratë ka mjaftuar që rrjetet sociale të “shpërthejnë” në kritika të forta. Shumë ndjekës e kanë cilësuar komentin si mungesë respekti dhe të papranueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për një artist të ndjerë, i cili konsiderohet simbol për një brez të tërë.
Reagimet kanë qenë të ashpra dhe të shumta, me kërkesa drejtuar produksionit që ky moment të trajtohet në spektaklin e radhës. Për publikun, figura të tilla ikonike të artit shqiptar janë të paprekshme, dhe gabime të tilla rrallë kalojnë pa pasoja.
Mbetet për t’u parë nëse produksioni i “Big Brother VIP Albania” do të reagojë zyrtarisht dhe nëse kjo deklaratë do të sjellë pasoja për Mateon brenda lojës.
Be First to Comment