Finalja madhështore e Big Brother VIP Kosova e ktheu Klan Arena në një skenë plot emocione, muzikë dhe surpriza, duke përmbyllur me sukses edicionin e katërt të spektaklit shumë të ndjekur.
Ish-banorët e këtij sezoni u rikthyen në studio për të qenë pjesë e natës vendimtare dhe për ta përjetuar nga afër atmosferën e finales, duke i shtuar edhe më shumë gjallëri spektaklit që mbajti publikun të mbërthyer deri në momentin e fundit.
Atmosfera u ndez që në minutat e para me performanca muzikore që elektrizuan sallën.
Benita solli energji në skenë me interpretimin e këngës “Bugatti”, duke tërhequr menjëherë vëmendjen jo vetëm me performancën dinamike, por edhe me paraqitjen e saj të spikatur në të kuqe, që i dha edhe më shumë shkëlqim spektaklit.
Më pas, skena u elektrizua edhe nga performanca e Fjolla Morina, e cila solli ritëm dhe energji në atmosferën festive. Ndërkohë, këngëtari i mirënjohur nga Shkodra, Bujar Qamili, i dhuroi publikut emocione të veçanta me interpretimin e këngës Nuse n’Shkodër, duke krijuar një moment të paharrueshëm në finale.
Finalistët u përballën me momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre në Big Brother VIP Kosova përmes klipeve përmbledhëse dhe surprizave prekëse nga njerëzit më të dashur.
Klodi u emocionua thellë kur në studio mbërritën familjarët e tij nga Italia, ndërsa Ludo u surprizua me një takim të veçantë me bashkëshorten dhe tri vajzat e tij. Nga ana tjetër, Elijona nuk i përmbajti lotët kur takoi vëllain e vogël pas 102 ditësh izolim, duke dhuruar një nga momentet më prekëse të finales.
Për Elijona, një tjetër çast i paharrueshëm i finales ishte performanca e Labinot Tahiri me këngën Zemra e re, të cilën ajo e kishte kënduar shpesh gjatë qëndrimit në shtëpi, duke e kthyer momentin në një përjetim të veçantë emocional për të.
Ndërkohë, edhe Hygerta përjetoi një surprizë prekëse kur u takua me nënën e saj, e cila i tha se ndihej jashtëzakonisht krenare për lojën, qëndrimin dhe mënyrën se si ajo ishte paraqitur gjatë gjithë rrugëtimit në spektakël.
Por, ajo ishte finalistja e parë që u eliminua, duke u renditur e pesta në këtë finale.
Renditja përfundimtare e edicionit të katërt ishte:
Vendi i pestë: Hygerta
Vendi i katërt: Klodi
Vendi i tretë: Ludo
Vendi i dytë: Elijona
Ndërsa fituesi i madh i këtij sezoni u shpall Londrimi, i cili kishte deklaruar me bindje pak orë më parë: “Unë do ta fitoj”.
Be First to Comment