E ftuar në emisionin Mirëmbrëma Yje, Jonida Maliqi ka ndarë një nga momentet më të errëta të jetës së saj personale, duke folur hapur për periudhën kur u përball me frikën se djali i saj, Dani, mund të ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë.
Artistja e përshkroi atë kohë si dramën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë, një periudhë e mbushur me pasiguri, mungesë informacioni dhe presion emocional.
“Ka qenë një moment ku më është dashur të përballem me një situatë që ishte drama e jetës sime. Ku supozohej që Dani ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Kjo ishte një situatë që mendova se nuk kishte shpresë, por e kisha shumë gabim. Nuk kisha informacion. Nuk dita ta përballoj për momentin,” u shpreh ajo.
Këngëtarja pranoi se ajo periudhë e gjeti të papërgatitur emocionalisht, por theksoi se me kalimin e kohës perspektiva e saj ndryshoi rrënjësisht. Sot, ajo e sheh djalin e saj si bekimin më të madh të jetës.
“Mua më ka bekuar Zoti me Danin. Unë kam një fëmijë që më jep dashurinë që s’do ma jepte askush në botë dhe jam shumë e lumtur,” tha Jonida.
Rrëfimi i saj vjen si një dëshmi e fortë për shumë prindër që përballen me frikëra, dyshime dhe mungesë informacioni në momentet e para të vështira. Mesazhi që ajo përcolli ishte i qartë: dashuria dhe pranimi ndryshojnë gjithçka, ndërsa koha sjell kuptim dhe qartësi.
Be First to Comment